MSh: AstraZeneca u përdor vetëm në fillim të pandemisë, deri tash s’ka pasur asnjë efekt anësor serioz
Kështu ka konfirmuar kjo ministri, kur është pyetur mbi mundësitë e ndonjë pasoje që mund të kenë qytetarët nga vaksina AstraZeneca, kompani e cila e pranoi për herë të parë në një proces gjyqësor, se mund të shkaktojë mpiksje fatale të gjakut.
”Në Kosovë, me qëllim të monitorimit të efekteve të padëshiruara (efekteve anësore) të vaksinave gjatë vaksinimit kundër COVID-19 është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara dhe se përkundër administrimit të rreth 1.9 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 (shumica dërmuese të Pfizer/Biontech), nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i këtyre vaksinave në Kosovë”.
Tutje Ministria e Shëndetësisë thotë se shumica dërmuese e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech dhe sipas saj AstraZeneca u përdor në fillet e para të pandemisë.
”Vaksina të Astra Zeneca janë përdorur vetëm në fillim, kur MSH kishte siguruar një kontigjent të vaksinave Astra Zeneca përmes OBSH-UNICEF-Gavi -Aleanca globale e vaksinave (24. 000 doza nga GAVI dhe me pas një numër dozash donacion nga Norvegjia)”.
Megjithatë, kjo ministri shton se qysh në lansimin e saj në treg, AstraZeneca kishte njoftuar se mpiksja e gjakut dhe efektet anësore janë të mundshme tek një grupmoshë.
”Që nga fillimi i përdorimi të kësaj vaksine në nivel global, kompania Astra Zeneca, kishte njoftuar se mpiksja e gjakut mund të jetë një nga efektet anësore te mundshme (sidomos te moshat nen 40 vjeç), por e rrallë dhe se, “benefitet e përdorimit të vaksinës janë shumëfish më të larta se sa rreziqet”.
Derisa pyetur nga Klani nëse kanë bërë ndonjë hulumtim për efektet anësore potenciale tek të vaksinuarit e deritashëm nga secili lloj i vaksinës, Ministria e Shëndetësisë konfirmon se komiteti që mbikëqyr rastet mbetet ende aktiv.
”Ky komitet është edhe tani aktiv dhe përcjell çdo të re rreth vaksinave në përdorim dhe ngjarjeve të lidhura me to”.
Interesimi erdhi pasi AstraZeneca ka pranuar për herë të parë në dokumentet gjyqësore se vaksina e saj Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë.
Sipas britanikes, Telegraph, avokatët argumentojnë se vaksina prodhoi një efekt anësor shkatërrues në një numër të vogël familjesh.
Gjigandi farmaceutik po përballet me një padi grupore në Britani, për pretendimet se vaksina e tij, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, shkaktoi vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste.