Mulliqi: Etnologët mendojnë që veshjet e Hasit të jenë në UNESCO
Mulliqi në një intervistë për Klan Kosovën ka thënë se në këtë ekspozitë ka shfaqur 30 skulptura, disa prej tyre i ka shfaqur për mes ekspozitave kolektive në vende të ndryshme të Evropës.
“Me Departamentin e Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës e pamë të arsyeshme që në vigjilje të 8 Marsit të shprehim një mirënjohje për të gjitha ato gra dhe vajza të cilat me shekuj të tërë kanë punuar dhe me fanatizëm e kanë mbajt dhe rujtë një identitet të veçantë të etnografisë të veshjeve”.
“Duke filluar prej grave dukagjinase të cilat janë njohura me veshjet e tyre e duke vazhduar deri te gratë e Hasit të cilat kanë një paletë të pasur të ngjyrave në veshjet e tyre e posaçërisht me beloret e tyre pra të cilat shumë etnolog mendojnë që janë të vetmet të tilla në botë dhe mendojnë të jenë në UNESCO”, ka thënë Mulliqi për Klan Kosovën.
Mulliqi tha se kanë apeluar që të gjitha objektet e trashëgimisë që janë në Kosovë të vihen në funksion.
“Ne dolëm me një propozim këtu në lidhje me Prizrenin, si një qytet që ka një mozaik të pasur kulturor.
Pra edhe vet si qytet meriton të quhet një qendër e veçantë kulturore, pra në këtë rast nuk është me rëndësi të thuhet a është kryeqendër apo kryeqytet”.
” Por sidoqoftë brenda kësaj strategjisë për zhvillimin e kulturës që po punohet është mirë që ta ketë një status të veçantë dhe mendoj që Prizreni dhe “Hasjania” janë ndoshta dy projektet e para që në momentin kur të pranohemi në UNESCO të jenë këto dy projektet e para që do të konkurrojmë”.
“Sot kemi pasur në Parlament debatin lidhur me Ekipin Negociator me Serbinë dhe po ju them që kamë qenë shumë i çuditur por jo vetëm unë por edhe njerëzit e kulturës të cilët kanë dëgjuar se me Serbinë do të duhet të bisedohet edhe për trashëgiminë kulturore” .
“Ne me Serbinë nuk kemi çka bisedojmë për trashëgiminë kulturore, për një arsye se i kemi ligjet më të mira”.
“Kishte qenë mirë dhe e lus edhe njëherë ekipin negociaor që të shqyrtojë edhe një herë këtë mundësi. E vetmja çka duhet të bisedojmë me Serbinë është kthimi i artefakteve të cilat Serbia e ka nënshkruar protokolin për kthimin e tyre”, ka thënë Mulliqi.