Mungojnë palët ndërgjyqëse, shtyhet seanca në rastin ku paditësja kërkon kompensim për aksident trafiku
Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për shkak të mungesës së palëve ndërgjyqëse, është shtyrë seanca në rastin ku paditësja, Bleona Krasniqi, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Prisig”, kompensim dëmi për aksidentin në trafik.
Gjykatësi Haki Kryeziu, ka deklaruar se në seancë nuk prezanton përfaqësuesi i paditëses, avokati Xhevdet Krasniqi, që në bazë të fletëkthesës thuhet se adresa nuk është e saktë.
Ndërsa, sipas Kryeziut, për të paditurën, kompaninë e sigurimeve “Prisig”, nuk prezanton askush edhe pse e ftuar në mënyrë të rregullt.
Në rrethana të tilla, gjykatësi Kryeziu, mori vendim që seanca e së mërkurës të shtyhet për 9 shtator 2019, nga ora 11:00.
Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 15 dhjetor 2017, pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, më 15 shtator 2017 në rrugën “Idriz Gjilani”, në Prishtinë është shkaktuar aksident komunikacioni në të cilën lëndime trupore ka pësuar këmbësorja Bleona Krasniqi, tani në cilësinë e paditëses.
Siç thuhet në padi, aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia e ngasësit të automjetit të siguruar te e paditura, kompania e sigurimeve “Prisig”, i cili duke mos iu përmbajtur rregullave të komunikacionit, bënë veprimin pa kujdes të shtuar, dhe duke mos iu përshtatur kushteve të komunikacionit, godet këmbësoren, me ç’rast e njëjta pëson lëndime trupore.
Sipas padisë, shuma e kërkuar e cila mbulon të gjithë kompensimin e dëmit është 1000 euro. /BetimipërDrejtësi