25-11-2024

Mungojnë tekstet shkollore, Nagavci: DKA-të s’bënë kërkesë të saktë për numrin e nxënësve

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se ka pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore për klasat 6, 7 dhe 9.

Ajo ka thënë se ministria që drejton kishte njoftuar DKA-të se tekstet e klasave 6,7 dhe 9 do të përdoreshin të vitit paraprak prandaj shkollat duhej të siguroheshin që nxënësit e këtyre klasave t’i kthenin ato.

“Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge. Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit Administrativ nr.13/2016, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor”.

Nagavci ka fajësuar DKA-të për të cilat thotë se nuk e kanë bërë këkresën e saktë të librave në raport me numrin e nxënësve nëpër shkolla.

“Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ju informoj se si Ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”.

“Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”.

E para e arsimit ka inkurajuar shkollat dhe DKA-të që të sigurohen që të gjithë nxënësit t’i kenë tekstet.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

“I inkurajoj shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit ti kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor. Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm ti plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”.

Asnjë koment

Comments are closed.