Muriq gjen një vend për ta dëshmuar veten
Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, beson se është përforcim i duhur për portën e ekipit nga Eredivise të Holandës, Willem II.
Muriq, i cili iu bashkua ekipit holandez gjatë afatit kalimtar të janarit, nuk arriti të debutojë vikendin e shkuar në kampionat. Ndeshja me Den Haagun nuk u zhvillua shkaku i kushteve të këqija klimatike. Megjithatë, Muriq në një intervistë të premten ka insistuar se është plotësisht i gatshëm për ndeshjen e tij të parë te Willem II, atë në udhëtim kundër Feyenoordit, që luhet të dielën.
Në fakt, Muriq ka thënë se stadiumi “De Kuip” është vendi i duhur për ta dëshmuar veten. Muriq u huazua te Willem II deri në fund të këtij edicioni nga Manchester City, pasi nuk gjeti hapësirë të mjaftueshme në stinorin vjeshtor te Girona, ekip i kategorisë së dytë të Spanjës. Ai pritet të jetë portieri i parë deri në fund të këtij edicioni tek ekipi që po synon mbetjen në elitën e futbollit holandez edhe për sezonin tjetër.
“Unë jam i gjatë dhe kjo është një përparësi e imja si portier. Mirëpo, gjithashtu më pëlqen të luaj me topin dhe sa herë është nevoja unë e lëshoj portën, për shkak se jam një portier aktiv. Të dielën shpresoj që menjëherë të dëshmoj veten, pasi stadiumi ‘De Kuip’ është podiumi i duhur për një paraqitje të mirë”, ka thënë Muriq për sajtin “bd.nl”.
Muriq, që te Girona pati vetëm gjashtë paraqitje, synon ta ndihmojë ekipin e tij që të mbetet në Eredivisie. Willem II aktualisht zë vendin e 16-të në tabelë me 13 pikë të mbledhura, pas 29 ndeshjeve të zhvilluara. Ka vetëm një pikë më shumë se Den Haagu që është i parafundit. Shtatlarti insiston se kalimi te Willem II është një hap i mirë në procesin e tij të zhvillimit si portier.
“Nuk jam aspak i shqetësuar me situatën e klubit në kampionat, pasi e di shumë mirë dhe dëshiroj të ndihmoj. Me vjen shumë keq që ndeshja me Den Haagun nuk u zhvillua pasi isha plotësisht i gatshëm dhe tani me padurim pres paraqitjen kundër Feyenoordit”, tha Muriq. “Ardhja te Willemi është një tjetër hap në procesin tim të rritjes si portier”.
Së bashku me portierin e Kosovës në qytetin e Tilburgut, prej nga është ekipi Willem II, po qëndron edhe babai i tij, Samiri. Aro ka zbuluar se edhe vëllai i tij i vogël është portier, por luan në Zvicër në një klub amator.
“Është mirë që babai im është me mua, pasi në një qytet dhe klub të ri është e rëndësishme ta kesh dikë afër në fillim. E kam vëllanë 16-vjeçar dhe ai gjithashtu është portier në një klub amator në Zvicër, por nuk e di nëse do të bëhet profesionist”.
Muriq, që ka debutuar te Përfaqësuesja e Kosovës në nëntor të vitit 2018 dhe deri më tani ka 16 paraqitje, ka thënë se momenti më i vështirë me “Dardanët” ishte humbja në Shkup nga Maqedonia e Veriut (2:1) në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për “Euro 2020”.
“Kishim mungesa të disa lojtarëve të rëndësishëm për shkak të koronavirusit dhe për fat të keq pësuam humbje 2:1. Të gjithë ishim të mërzitur për këtë pasi kualifikimi në Kampionatin Evropian do të ishte diçka e madhe dhe përvojë e rëndësishme për të gjithë. Pas humbjes me Maqedoninë e Veriut, i gjithë shteti i Kosovës ishte në disponim të keq”, ka treguar Muriq.
Muriq as edicionin e shkuar nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme, ku ishte huazuar te Nottingham Foresti në kategorinë e dytë të Anglisë. Edhe atje sikurse te Girona, gabimet i kushtuan me humbjen e vendit të titullarit. Te Nottinghami pati pesë paraqitje në total.
“Mund të them se ishin përvoja të mira”, tha Muriq për huazimet te Nottinghami e Girona.
Portieri 22-vjeçar në vitin 2018 debutoi me ekipin e parë të Manchester Cityt, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2024.