19-11-2024

Muriqi: Doktori i Mallorcas menjëherë më shkroi “A je mirë”, tani e presim shortin për play-off

Sulmuesi Vedat Muriqi thotë se tani Kosova po e pret shortin për play-offin për Ligën e Kombeve, ndërsa zbuloi se te Mallorca menjëherë po frikësohen sa herë që luan në fanellën Dardane.

Ai ka treguar se menjëherë sapo ka dalë nga fusha, drejtori i Mallorcas i ka shkruar se “A është mirë”.

“Jeta e një futbollisti me lëndime por po shpresojmë që sa më pak të kemi. Sa herë po vijë këtu atje po frikësohen. Menjëherë sa dola nga loja, doktori më shkroi “A është gjithçka në rregull”, i thashë “Po, po”. Është kështu për një futbollist si unë që peshon 100 kilogramë”.

Muriqi ndër të tjera dha lëvdata për Muharrem Jasharin, për të cilin deklaroi se i ka munguar grumbullimit të Kosovës, ndërsa shtoi se ndeshja ndaj Rumanisë ishte më e mira në histori.

“Muharremi ka qenë edhe në grumbullimin e kaluar, ku nuk kam qenë. Për mua ka qenë surprizë dhe mendova se ku ka qenë ky lojtar më herët. I ka munguar Kosovës një lojtar si ai, sepse as nuk ka qenë në pozitën e tij dhe në Rumani krijoi disa aksione. Po më vjen mirë që Kosova ka një gjeneratë të re”.

Kemi një grup të shkëlqyer që kalojmë kohë së bashku, besoj që me Rumaninë e kemi treguar, ku vendosëm si grup. Në shtatë vite, ka qenë ndeshja më e mirë në çdo aspekt që kemi bërë me Rumaninë. Iu thashë lojtarëve të mos e ulim ritmin, e nisëm mirë me golin e Mulit por pastaj kartoni i kuq, na bëri të kthehemi më në mbrojtje. Tani do ta presim shortin dhe të shohim se me kë do të përballemi, sepse kundërshtarët janë më të fortë me gjithë respektin”./Nacionale

Asnjë koment

Comments are closed.