Musliu: Drejtësia dështoi për masakrën ndaj familjes Berisha – nuk u dënua fajtori kryesor
Musliu deklaroi se në Kosovë kanë ndodhur shumë masakra, por kjo ndaj familjes Berisha është më e rënda pasi që janë ekzekutuar 48 anëtarë.
“Kjo është masakra më e madhe dhe kjo është karakteristike për diçka tjetër pasi është kryer nga serbë vendas, policë aktivë dhe rezervistë të Serbisë që kanë punuar këtu, të cilët kanë qenë të afërt me familjen Berisha dhe e kanë folur gjuhën shqipe”.
Musliu, i cili i ka ndjekur nga afër proceset e gjykimit për këtë masakër, tha se drejtësia nuk shkoi në vend pasi që në procese gjyqësore nuk u vërtetua fajësia e personit kryesor për këtë masakër.
“Drejtësia dështoi pasi fatkeqësisht në procese gjyqësore nuk u vërtetua fajësia e kryesorit në këtë proces. Ka qenë një kolonel i policisë serbe, Radoslav Mitrovic, i batalionit 37 të policisë serbe, i cili e ka kontrolluar territorin nga Suhareka deri në Rahovec “.
“Mirëpo, organizator ka qenë ish-shefi i shërbimit sekret serb për Suharekën, Millorad Nishaviq (Milorad Nišavi?), i njohur me emrin “Nesha”, i cili edhe këtu e ka pasë një hotel në hyrje të Suharekës ku para viteve të 1998-ta kanë fjetur përfaqësuesit e OSBE-së. Ndërkohë ata e kanë lëshuar hotelin dhe vijnë e vendosen në shtëpinë e familjes Berisha. Nishaviq e ka konsideruar si diçka të kurdisur dhe e ka përjetuar rëndë, e ka përgatitur idenë si me u hakmarrë ndaj familjes Berisha”.
“Nishaviq është dënuar me 13 vjet burg, jo më tepër, dhe gjithsej të akuzuarit janë të dënuar me 68 vite burg – dy nga 20 vjet, një me 15 vjet dhe Nishavic me 13 vjet, Mitrovic u lirua si i pafajshëm”.
Musliu tha se drejtësia është vështirë të vijë në vend pavarësisht dënimeve prej 68 vjetëve për të akuzuarit pasi këto vite nuk mjaftojnë për krimin ndaj familjes Berisha, por dhimbja zbutet pasi e dinë se kush e ka bërë këtë masakër.
“Masakra që ka ndodhur ka qenë tronditëse. Thënë të drejtën, pasi e kam përfunduar librin dhe kur e kam promovuar në gjuhën serbokroate, një shkrimtar dhe skenarist serb më ka ofruar që me e përgatitë një skenar për dramë”.
“Abdullah Elshani është vrarë te pompa dhe prej aty i kanë dërguar kufomat për Prizren. Dëshmitar kryesor ka qenë një polic serb dhe disa fëmijë të komunitetit rom, të cilët i kanë sjellë këtu për t’i ngarkuar kufomat në kamion, e ku disa prej tyre edhe janë alivanosur nga trishtimi që e kanë përjetuar aty”, u shpreh Musliu gjatë intervistës në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.