19-10-2024

Mustafa e pranon: Gjendja në veri është më ndryshe, qeveria Kurti i luftoi grupet kriminale

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se qeveria Kurti ka arritur të luftojë grupet kriminale dhe të heq barrikadat në veri. Sipas tij, në veri tani është një gjendje tjetër, të cilën ai e quan si arritje të përkohshme, derisa edhe ngrit dilema se sa do të jetë e qëndrueshme kjo.

Përkitazi me këtë, Mustafa deklaron për KosovaPress, se mbyllja e strukturave paralele dhe ndalimi i qarkullimit të dinarit janë vendime të duhura. Megjithatë, ai thekson se kjo nuk do të thotë se është shtrirë sovraniteti në veri, pasi gjendja po mbahet me kontrolle të rrepta të policisë dhe se komuniteti serb ende po shprehet kundër veprimeve të qeverisë dhe kundër kryetarëve aktual në katër komunat veriore.

“Kjo qeveri ka treguar se mund të evitojë ose heq barrikadat në veri dhe që mund të luftojë grupet kriminale që kanë vepruar hapur në veri, pasi të dyja i ka bërë. Tani a i ka bërë me marrëveshje apo pa konsultim të faktorit ndërkombëtar, është çështje tjetër. Ndërkombëtarët janë deklaruar se të gjitha ato janë bërë pa informimin dhe konsultimin e tyre. Mirëpo tani një gjendje tjetër është në veri sa i përket barrikadave…Mirëpo kjo nuk do të thotë se ne kemi shtrirë sovranitet, pasi kjo situatë po mbahet me polici, s’po mbahet atje me organe të pushtetit civil. Ne s’kemi atje organe të pushtetit civil, s’kemi funksionim të komunave. (Kryetarët e komunave) Janë atje dhe po kryejnë punën e tyre por populli s’po e kryen punën e vet pasi në pushteti demokratik duhet me qenë i qytetarëve që jetojnë atje… (Mbyllja e strukturave paralele, ndalimi i dinarit) Kanë qenë të duhura sepse vendimet kanë qenë edhe përpara. I kanë bërë veprimet dhe mendoj se veprimet janë të mira, pasi edhe ashtu dinari ka qenë i ndaluar, por ka funksionuar në hije”, thotë ai.

Duke vënë në pah sa e vështirë ka qenë liria e lëvizjes në veri, ish-kreu i ekzekutivit përmend një rast në vitin 2016, kur i ishte bllokuar rruga nga serbët lokalë, duke shkuar në Leposaviq.

Mustafa e pranon se tani ka liri më të madhe të lëvizjes në katër komunat veriore, mirëpo thotë se kjo duhet të shndërrohet një lëvizje që reflekton si sjellje normale dhe jo si demonstrim të forcës.

Asnjë koment

Comments are closed.