30-01-2025

Mustafa: LDK fituese më 9 shkurt, VV ka filluar ta ushtrojë opozitarizmin pa përfunduar zgjedhjet

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson në rikthim të fuqishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 9 shkurt. Mustafa, që ka udhëhequr me LDK’në për mbi 10 vjet, ka thënë se kjo parti do të del e fituese në këto zgjedhje.

Në një deklaratë për Reporterin, Mustafa e ka quajtur “masakër” e “lloj holokausti për zhbërje politike” atë që i ndodhi LDK’së para katër vitesh. Në zgjedhjet e vitit 2021, LDK doli e treta me 12,7 përqind. Sipas tij, në këtë rënie të LDK’së kontribuan akterët e brendshëm por edhe ndërkombëtarë.

“Mendoj se pas masakrës që iu bë LDK-së në vitin 2021 ( një lloj holokausti për zhbërje politike) nga shumë akter të brendshëm, por edhe ndërkombëtar, ajo falë atyre që i qëndruan besnik po rikëmbet, maskat e mashtrimeve dhe e profiterëve po bien, po merr përkrahje të gjerë të qytetarëve dhe do të delë fituese, sepse e meriton”, ka deklaruar Mustafa.

Në vend, tash e 19 ditë ka nisur fushata, edhe zyrtarisht. Fushatën e opozitës, Mustafa e ka cilësuar si shumë të emancipuar, e për partinë në pushtet ka thënë se po përdorë gjuhë ofenduese e denigruese në mungesë të rezultateve.

Thotë se ka filluar të ushtrojë opozitarizmin ende pa përfunduar zgjedhjet.

“Me mesazhe pozitive, oferta të qarta e respektim të qytetarëve, si LDK, PDK, AAK por edhe Lista për familjen, si subjekt i ri zgjedhor. Në të kundërtën VV në mungesë të rezultateve, po shërbehet me gjuhë ofenduese dhe denigruese. Kam përshtypjen se po e ofendon dhe dëmton më shumë vetëveten sesa të tjerët. Ose se nuk ka besim të qeverisë dhe ka filluar ta ushtrojë opozitarizmin para se të përfundojnë zgjedhjet”, ka thënë Mustafa.

Para dy ditësh, për zgjedhjet e 9 shkurtit bëri një postim edhe Akademiku Rexhep Qosja, kundërshtari i përbetuar i Presidentit Historik Ibrahim Rugova.

 

Asnjë koment

Comments are closed.