25-11-2024

Mustafa: SHBA, Gjermania e Franca ta sqarojnë a kanë kundërshti me Kurtin, i ndihmuan të vijë në pushtet

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se Kosova 15 vjet më vonë, në 30 vjetorin e pavarësisë, mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe OKB-së, por dyshon se deri atëherë mund të hyjë në Bashkimin Europian. Për këtë ‘parashikim’ qysh tani meritat ia lë SHBA’së, por nuk heziton të kritikojë ndaj Washingtonit, Berlinit e Parisit që, sipas tij, e kanë ndihmuar Kurtin të vijë në pushtet.

“Pa të keqe duhet ta them se Kurti i ka marrë votat nga qytetarët që të kundërshtojë Perëndimin”, thotë Mustafa kur pyetet nëse po sheh përplasje mes Kurtit dhe qeverive perëndimore që po bëjnë presion për marrëveshje me Serbinë.

“Është përkrahur nga Gjermania, Franca por jo pak edhe nga SHBA për të ardhur në pushtet. Prandaj, vetëm këta e dinë tani se çfarë kanë dhe si qëndrojnë ndërmjet veti, a e kanë seriozisht apo po luajnë lojëra”.

Duke i komentuar përpjekjet e Perëndimit për një marrëveshje Kosovë-Serbi me anë të propozimit europian, Mustafa thotë se plani do të qetësonte serbët në Veri, por jo edhe Serbinë nga qëllimet për ta minuar Kosovën.

Sidoqoftë, destinacionin final ku do të çojë kjo marrëveshje, Mustafa thotë se s’mund ta parashikojë meqë “derisa s’ke informata, je i verbër”. Por, këtu ai mund të shohë se marrëveshja e prezantuar në planin franko-gjerman do të prodhojë edhe marrëveshje të tjera, për të cilat thotë se Qeveria duhet t’i sqarojë.

Politikani veteran në një intervistë për Gazetën Express ka pranuar se qeverisjet në Kosovë, në faza të caktuara janë sjellë papërgjegjshëm, përfshirë edhe atë të Kurtit.

“Për fat të keq, qeverisja në cikle të caktuara është treguar joefektive dhe e papërgjegjshme. Edhe në ditën e sotme!”.

Ndonëse shpreson se vendit mund t’i hapet perspektiva e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB’në ku duhen evituar vetot ruse e kineze, ai përgjigjet me ironi kur pyetet si mund të ndodhë kjo.

“Ndoshta kanë ide Vjosa dhe Albini, të cilët çdo ditë po “luftojnë” me Rusinë”

Asnjë koment

Comments are closed.