NATO kërkon nga Serbia ndjekjen penale të grupit të Banjskës dhe sulmuesve të KFOR-it në Zveçan
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë,” deklaroi zyrtari për gazetarët.
Zyrtari përmendi sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), si sulmin që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.
Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n, theksoi ai, duke shtuar se kjo është një çështje qëndron “lart në agjendën” e aleancës.
“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike,” theksoi ai.
Zyrtari po ashtu përkujtoi angazhimin e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990, duke theksuar se përkushtimi i aleancës mbetet i fuqishëm dhe se nuk do të lejohet krijimi i një “vakumi të sigurisë” në rajon.
NATO konfirmoi gjithashtu mbështetje të plotë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke u fokusuar në zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.
“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë,” shtoi ai.
Pas ngjarjeve të dhunshme në vitin 2023, NATO ka dërguar mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe ka rritur praninë e KFOR-it në veri, që ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit.
Samiti dyditor i NATO-s, që do të zhvillohet nesër në Hagë, pritet të arrijë marrëveshje për rritjen e investimeve në mbrojtje, shtimin e prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe mbështetje afatgjatë për Ukrainën.
Në këtë samit, Presidenti amerikan Donald Trump pritet të kërkojë nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5% të PBB-së.