24-11-2024

Ndahen 930 mijë euro për 12 kilometra asfalt në rrugën që lidh Rahovecin me Suharekën

Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, i shoqëruar nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe ai i Suharekës, Bali Muharremaj, në kuadër të ndarjes buxhetore për komunat dhe zhvillimit të infrastrukturës lokale ka inauguruar fillimin e punimeve në rrugën Rahovec-Suharekë.

Sipas njoftimit për media nga MI-ja, rehabilitimi i kësaj rruge do të ketë tërë infrastrukturën përcjellëse sipas standardeve moderne. Rruga që e lidhë Rahovecin me Suharekën, do të realizohet me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Ministri Lekaj tha se kjo është dëshmia më e mirë se kjo qeveri është e përkushtuar në zhvillimin e infrastrukturës së komunave në tërë Kosovën dhe përmes kësaj t’i kontribuohet edhe zhvillimit ekonomik, por edhe fuqizimit të potencialit të turizmit. Ministri Lekaj tha se ky vit nga Qeveria e Kosovës është shpallur si vit i modernizimin e infrastrukturës, prandaj ky investim prej 930 mijë eurosh nuk do të jetë i fundit. Ministri Pal Lekaj ka kërkuar nga kompania ndërtuese që të jetë e vëmendshme në realizimin e punimeve sipas standardeve ashtu siç e meriton kjo hapësirë”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi dhe ai i Suharekës Bali Muharremaj, thanë se rehabilitimi i kësaj rruge i kontribuon lidhjes së dy komunave në mënyrë më të lehtë dhe se ky investim ka qenë i nevojshëm qysh moti, dhe se mbesin me shpresë që kjo rrugë të zgjerohet në vitet në vijim, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.