23-11-2024

Ndahet nga jeta atdhetari Avdi Sokoli nga Vlahna e Hasit

Në fshatin Vlahën të Hasit të Shqipërisë ka ndërruar jetë Avdi Sokoli, një burrë me vlera të larta njerëzore e atdhetare.

Ai rrjedh nga një familje atdhetare, ndërsa në ditët më të vështira për Kosovën, kishte mbështetur çlirimtarët e UÇK-së, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Duke qenë në fshatin kufitar me Hasin, në pjesën e Kosovës, baca Avdi siç e quanin ushtarët, bashkë me të birin Yllin ishte bërë një adresë për çlirimtarët, ndërsa me familje e farefis, i bënë edhe nderet e duhura heroit të kombit Luan Haradinaj,  që ra në malet e Pashtrikut, duke ndihmuar e varrosur si të ishte biri i tij.

Për ndarjen e tij nga jeta, në faqe e tij në “facebook” ka shkuar edhe legjenda e luftës dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

“Avdi Sokoli nga Vlana e Hasit ishte pranë nesh në kohë shumë të vështira. Ai kishte të birin Yllin luftëtar të UÇK-së, por u gjind për ne në kohën e vështirë kur ra heroikisht vllau im Luani.

Sot mora lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta. Po e ndajmë dhembjen me familjarët e miqtë, të cilët duhet të krenohen me veprën e kontributin e tij. I lehtë i qoft dheu!”, ka shkruar Harandinaj.

Ndërkaq, në një postim në “facebook” kontributin e tij e ka kujtuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ndër tjera ka shkruar:

“Baca Avdi ishte burrë që u bë krah i fortë, ku u mbështetën. Shtëpia e tij ishte strehë dhe konak ku hynë e dolën shumë burra të shquar, të cilët u rreshtuan në krahun e duhur të historisë. Avdi Sokoli dhe krejt Vlahna e Hasit ishin me çlirimtarët, prandaj vlahjanët duhet të jenë krenar për këtë trashëgimi kombëtare, sepse në gjirin e vet mbajtën të ndezur zjarrin për lirinë e Kosovës. Këshillat dhe mësimet e tij të vyera qenë shumë të dobishme për luftëtarët tanë, prandaj ai i bëri vend të respektuar vetes në historinë tonë kombëtare.
Aty morën krah dhe fuqi çlirimtarët tanë, si Anteu nga Toka mëmë, ndërsa Avdi Sokoli me familje e farefis, i bënë nderet e duhura heroit të kombit Luan Haradinaj, të cilin e varrosi si të ishte biri i tij.

Familjes e miqve ju shprehim ngushëllime të sinqerta, duke i porositur se, Avdi Sokoli nuk ishte vetëm i familjes, nuk ishte vetëm i Vlahnës, nuk ishte vetëm i Hasit e i Krumës, Ai ishte dhe është i tërë Kombit.

Lavdi, nderim e respekt për jetën dhe veprën atdhetare të Bacë Avdi Sokolit!”, ka shkruar Laftifi.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.