Ndahet nga jeta gjuhëtari i njohur Bahri Beci
Është ndarë nga jeta gjuhëtari i njohur Bahar Beci në moshën 86-vjeçare, i cili ishte anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Këtë lajm e ka dhënë kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të tij.
Akademiku Bahri Becit ka qenë një personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.
Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra” në shqip “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”. Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin “Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës”.
Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).
Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).
Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.
Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.
Homazhet e lamtumirës për akad. Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda, dhe në orën 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.