02-08-2025

Ndahet nga jeta tekniku i farmacisë në Spitalin e Prizrenit, Ersan Çipa

Spitali i Prizrenit, përmes faqes së tij zyrtare, ka njoftuar se ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare, tekniku i farmacisë pranë këtij institucioni shëndetësor, Ersan Çipa.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se në orët e vona të ditës së premte, më 01.08.2025, në moshën 55-vjeçare, është ndarë nga jeta Ersan Çipa, teknik i farmacisë.

Ersani lindi më 30 shtator 1969 në Prizren, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në drejtimin e farmacisë. Në vitin 1989, ai filloi punën në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren si teknik i farmacisë, detyrë të cilën e ushtroi me përkushtim deri në momentet e fundit të jetës së tij.

I njohur për humanizmin, profesionalizmin dhe afërsinë me kolegët dhe pacientët, Ersan Çipa për vite me radhë ka dhënë kontribut të çmuar në sektorin e farmacisë dhe më gjerë. Ai u dallua për ndershmëri, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në punën e tij, duke qenë gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe zhvillimit të institucionit tonë, sidomos në periudhën para vitit 1999.

Kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë me respekt të thellë për profesionalizmin dhe ndihmën që u ka ofruar ndër vite.
Menaxhmenti i spitalit, stafi i barnatores dhe gjithë punonjësit e institucionit tonë i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të z. Ersan Çipas.

Kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet i paharruar.”, thuhet në fund të këtij njoftimi mortor nga Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”- Prizren.

Asnjë koment

Comments are closed.