Dënimi i sotëm i Hysri Peqanit i njohur me nofkën “Burdushi” nga Prizreni ka të bëjë me vetëm një vepër, atë të mashtrimit, ndërkohë që burimet nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë konfirmuar se ndaj tij rëndojnë edhe katër vepra të tjera, për të cilat po zhvillohen hetime, shkruan “GazetaePrizrenit.net’.
“Burdushi” sot ka marrë dënimin nga gjykata e shkallës së parë, që e ka gjetur fajtorë për veprën penale të mashtrimit, aktakuzë kjo e vitit 2015.
Për këtë Gjykata Themelore e Prizrenit e ka dënuar “Burdushin” me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, të cilin dënim do ta vuan pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë në shumën prej 5.000 (pesëmijë) euro, si dhe dënimin plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, duke u llogaritur nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.
Ai ishte arrestuar një javë më parë, pas bastisjes së shtëpisë së tij.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka thënë për “GazetaePrizrent.net” se dënimi i sotëm nuk ka të bëjë me rastin mediatik, të arrestimit të “Burdushit” javën e kaluar, pasi mbi të rëndojnë edhe katër akuza për veprat penale: shmangie nga tatimi, armëmbajtje ilegale, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe fajde.
“Rasti tjetër ende është në fazën e hetimeve. Aty ende nuk kemi aktakuze. Kur ngritet aktakuza atëherë caktohen seancat gjyqësore në gjykatë, por ka kohë dhe punë deri atëherë”, tha ai.
Ndryshe pas bastisjes në shtëpinë e tij, në cilësinë e provave, pos materialeve të tjera janë konfiskuar edhe 3 vetura.
Në dënimin e sotëm Gjykata ia ka ndaluar ‘Burdushit’ ushtrimin e ‘profesionit’ për tri vite. /GazetaePrizrent.net/