Ndalohen grupe refugjatësh në afërsi të Kukësit
Dy banorë të Shkodrës u arrestuan në flagrancë nga policia teksa po tentonin të transportonin shtetas të huaj drejt kufirit me Malin e Zi. Arrestimi i tyre u bë në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe. Gjatë kontrollit të automjetit, me të cilin po udhëtonin drejt pikëkalimit kufitar të Hanit të Hotit, policia zbuloi tre shtetas të huaj nga vende të treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë dhe po tentonin të kalonin në Mal të Zi e prej andej në Europë.
Dy të arrestuarit akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit të disa qindra eurove.
Një ditë më parë policia e Kukësit shoqëroi 26 shtetas irakianë, të cilin kishin hyrë në brendësi të territorit të Shqipërisë në rrugë të jashtligjshme. Sipas policisë vendore, ata kishin si qëllim kalimin e kufirit Shqipëri-Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar të Morinit. Mes personave të shoqëruar ka burra, gra dhe fëmijë të moshës 4-13 vjeç.
Rastet më të fundit të ndalimit të shtetasve të huaj në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Veri të Shqipërisë ngrenë dyshime rreth mënyrës si ata arrijnë të futen në territorin e vendit dhe të udhëtojnë disa qindra kilometra në brendësi të tij pa u diktuar dhe ndaluar nga forcat e rendit.
Vitet e fundit, grupe të vogla refugjatësh nga vendet e luftës në Lindjen e Mesme kanë zgjedhur pikëkalimin kufitar të Hanit të Hotit për të tentuar të kalojnë fillimisht në Mal të Zi e më pas në Europë. Por rasti më i fundit, i ndalimit të tyre në Kukës, ngre dyshimin se ata po tentojnë të gjejnë rrugë të tjera kalimi drejt vendeve te Europës./koha net