Ndalohen në Rahovec dy persona pasi kundërshtuan Policinë dhe sul*muan një zyrtar
Një incident është regjistruar mbrëmë në Rahovec, ku dy persona dyshohet se kanë kundërshtuar zyrtarët policorë gjatë një ndalese në komunikacion, duke eskaluar situatën deri në sulm ndaj një zyrtari policor, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas informatave, rasti ka ndodhur më 20 janar 2026, rreth orës 23:00, në rrugën “Sheh Mihedini”.
Burimet bëjnë të ditur se patrulla policore gjatë patrullimit ka hasur në një kundërvajtje në trafikun rrugor, por i dyshuari i parë, Q. Basha, dyshohet se ka refuzuar të ndalet dhe të prezantojë dokumentet personale dhe ato të automjetit, sipas urdhrit të zyrtarit policor.
Në vend të bashkëpunimit, ai dyshohet se ka vazhduar me kundërshtime të ashpra, fyerje dhe mosbindje ndaj urdhrave të zyrtarëve policorë.
Në një moment, nga vetura ka zbritur edhe e dyshuara e dytë, Xh. B, nënë e të dyshuarit, e cila dyshohet se ka filluar ta shtyjë zyrtarin policor.

Situata më pas është tensionuar edhe më shumë, kur i dyshuari kryesor, gjatë tentativës së policisë për arrestim, dyshohet se ka rezistuar dhe ka sulmuar zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndim të lehtë në dorë (gërvishtje).
Pas intervistimit të të dyshuarve dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

