29-11-2024

Ndalohet qarkullimi i makinave me targa KM: U shkel marrëveshja!

Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targat ilegale KM, e që janë riregjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar dhe tutje.

Kështu tha Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e akuzoi Serbinë se ka shkelur darkordimin e arritur në nëntor 2022 në Bruksel, sa i përket targave të makinave.

Ai konfirmoi se disa makina me targa ilegale KM nuk janë lejuar të hyjnë të mërkurën në territorin e Kosovës, pasi siç tha, ato ishin riregjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkroi Sveçla.

“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.

Se makina me targa KM (Mitrovica e Kosovës) nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë gjatë 18 janarit e konfirmoi edhe qytetarja Sunçica Mashiq. Ajo tha se në pikën kufitare të Jarinjës nuk është lejuar që të hyjë në Kosovë me makinën me targa KM, pasi i është thënë se veturës i ka skaduar regjistrimi.

Ajo tha se disa orë para kësaj, ishte larguar nga Kosova përmes Jarinjës – pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën me Serbinë – pa asnjë problem, por gjatë kthimit, pas disa minutash bisedë, autoritetet kufitare i kanë thënë se nuk mund ta vazhdojë rrugën për në Kosovë.

“Makinën e kemi regjistruar sipas vendimit të 20 dhjetorit 2022”, tha Mashiq.

Një ditë pasi u arrit marrëveshja për targat në nëntorin e kaluar, kryeministri i Kosovës, tha se nuk bëhet fjalë për marrëveshje por për dakordim.

“Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, deklaroi ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, marrëveshjen për targat si një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Ai shtoi se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.

Në ditën e marrëveshjes, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kishte deklaruar se “të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM.

Më 18 janar, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, dhe Lista Serbe po ashtu deklaruan se në pikat kufitare në veri të Kosovës, në Jarinjë dhe Bërnjak, të mërkurën u është ndaluar lëvizja e makinave me targa KM (Mitrovica e Kosovës).

Siç ka mësuar REL-i, bëhet fjalë për makina që janë regjistruar pas datës 7 dhjetor 2022, kur ka hyrë në fuqi dekreti i ri i Qeverisë serbe për veturat që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës, dhe të cilat janë të regjistruara në Serbi.

Sipas asaj rregulloreje, makinat mund të qarkullojnë në komunikacion duke dëshmuar se kanë kaluar kontrollet teknike dhe kanë sigurim. Megjithatë, dokumentet e regjistrimit mbeten të njëjtat, do të thotë ato të vjetrat që policia serbe do t’i pranojë. Por, shoferët janë të obliguar që t’u tregojnë zyrtarëve policorë policën e sigurimit dhe vërtetimin për kontrollet teknike. Policëve nuk u tregohen lejet e regjistrimit, të cilat janë dëshmi se vetura është e regjistruar dhe Serbia më nuk lëshon targa të reja KM për pronarët e makinave të reja.

Petkoviq: Kurti po tenton të shkaktojë krizë dhe tensione të reja
Makinat me targa të tilla deri më tani kanë mundur të hyjnë dhe dalin nëpër këto dy pika kufitare në veri të Kosovës, edhe pse janë të regjistruara sipas vendimit të ri të Qeverisë së Serbisë të marrë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

“[Kryeministri i Kosovës] Albin Kurti po tenton të shkaktojë krizë dhe tensione të reja në Kosovë dhe Metohi dhe që nga mëngjesi i ditës së sotme, policët e tij nuk po lejojnë automjetet me regjistrime të rregullta, me targa KM, që të kalojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak”, tha Petkoviq përmes një njoftimi.

Ai tha se kjo përbën “shkelje flagrante dhe nëpërkëmbje të marrëveshjes për targat që Beogradi dhe Prishtina arritën në Bruksel më 23 nëntor të vitit të kaluar, pas një krize të rëndë që kërcënoi paqen në Kosovë dhe Metohi”.

Petkoviq shtoi se marrëveshja parasheh që deri në një vendim përfundimtar për targat KM, këto targa do të mbeten në përdorim.

Sipas Petkoviqit, me atë marrëveshje, “Prishtina është obliguar që të pezullojë politikën ndëshkuese dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me të ashtuquajturin riregjistrim të makinave për shoferët që kanë makina me targa KM”.

Sipas marrëveshjes, Beogradi pranoi që të ndalonte së lëshuari targa të reja dhe kjo çështje më pas u rregullua edhe me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 7 dhjetorit 2022.

Petkoviq tha se veprimet e Kurtit sot po sjellin tensione dhe probleme të reja në veri të Kosovës dhe shtoi se pret nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes, të mbrojë dhe mundësojë zbatimin e saj.

Lista Serbe: Kosova po shkel marrëveshjen për targat
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, tha se “regjimi diktatorial i Albin Kurtit po vazhdon të torturojë, keqtrajtojë serbë dhe të shkelë marrëveshjet e nënshkruara” përderisa përfaqësuesit ndërkombëtarë po heshtin.

Kjo parti po ashtu u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë, në radhë të parë BE-së, pasi siç thanë, është përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes, që “urgjentisht të parandalojë që Kurti të shkelë marrëveshjen për targat dhe në këtë mënyrë të parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në terren”.

“Populli serb nuk do të shikojë me qetësi shkeljen e të drejtave elementare të njeriut dhe shkeljen e marrëveshjeve që garantojnë këto të drejta të popullit tonë”, tha Lista Serbe.

Pas krizës së shkaktuar në veri të Kosovës gjatë nëntorit të kaluar lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës), që serbët refuzuan ta bëjnë, më 23 nëntor u arrit një marrëveshje në Bruksel. Marrëveshja u arrit gjatë takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova, dhe Petar Petkoviq nga Serbia, me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak, të dërguarit të posaçëm të bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Serbia, sipas marrëveshjes, u pajtua të heqë dorë nga lëshimi i targave joligjore KM, dhe Kosova u pajtua të largonte vendimin për qortimet dhe gjobat për shoferët me makina me targa të tilla, kishte deklaruar atëbotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, po ashtu kishte konfirmuar se Serbia nuk do të lëshojë më targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës dhe Kosova do të pezullojë veprimet e mëtejme lidhur me riregjistrimin e makinave, duke ftuar palët për diskutim për hapat e mëtejmë.

Mirëpo, një takim i ri për këtë temë nuk është mbajtur që atëherë, dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se problemi i targave nuk është në tavolinë të bisedimeve, por kjo çështje do të definohet në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse./REL/

Asnjë koment

Comments are closed.