Ndalohet shitja e mbi 49 mijë pakove me hurma, Inspektorati gjen parregullsi
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar shitjen e mbi 49 mijë paketimeve të produktit hurma për mos përputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.
Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve të zakonshme që Inspektorati realizon çdo ditë, në disa subjekte ekonomike të inspektuara, është hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së peshës së deklaruar të produkteve.
“Bëhet fjalë konkretisht për produktin hurma, me ç’rast është ndaluar shitja e 49,352 paketimeve të këtij produkti.
Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave kanë konstatuar së produktet hurma të peshës 550 gram dhe 600 gram nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë.
Si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në njoftim