Ndërhyrja në mushkëri e shpejtësia e autostradës: Detajet që tronditën botën e futbollit pas vdekjes së Diogo Jota
Dalin në pah detaje të reja mbi aksidentin që i kushtoi jetën sulmuesit të Liverpool Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, edhe ai futbollist.
Dy vëllezërit, të dy futbollistë profesionistë, po udhëtonin me një Lamborghini Huracán me qira, kur mjeti doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë në autostradën A-52, pranë zonës Cernadilla, në provincën e Zamorës.
Sipas autoriteteve spanjolle, automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë, kur gjatë një manovre parakalimi në një segment të njohur për asfaltin e dëmtuar, shpërtheu një gomë e pasme, duke bërë që makina të humbte kontrollin, të përplasej dhe më pas të përfshihej nga flakët. Mjeti i fuqishëm, që kishte rrota të pasme aktive, nuk arriti të ndalonte në kohë, ndërsa pamjet e tmerrit janë konfirmuar edhe nga ekipet hetimore të Guardia Civil.
Udhëtimi me makinë pas ndërhyrjes në mushkëri
Detajet që kanë dalë në dritë pas aksidentit e bëjnë ngjarjen edhe më dramatike. Diogo Jota i ishte nënshtruar së fundmi një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, dhe për këtë arsye mjekët i kishin ndaluar fluturimin me avion për të shmangur rreziqet që lidhen me presionin e gjakut gjatë fluturimit. Ai kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Santanderit, nga ku do të merrte tragetin e orës 16:00 për në Portsmouth të Anglisë, për të vazhduar më pas drejt Liverpoolit.
Së bashku me të ishte edhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist, me të cilin kishin planifikuar të ndaleshin për një natë në Benavente, një orë e gjysmë larg vendit të aksidentit. Nga atje do të udhëtonin të nesërmen drejt Anglisë, ku Jota do të rikthehej në stërvitje me ekipin e tij të Liverpoolit të martën.
Një autostradë në qendër të kritikave
Aksidenti ndodhi në një segment të njohur të autostradës A-52, që lidh Galicinë me Portugalinë, një rrugë që është kritikuar prej kohësh për gjendjen e keqe të asfaltit dhe mungesën e mirëmbajtjes. Vetëm pak ditë më parë, në të njëjtin segment, një grua u plagos rëndë dhe u desh të nxirrej me ndërhyrje speciale nga makina e saj e përplasur.
Në prill të vitit të kaluar, qytetarët dhe autoritetet lokale kishin ngritur alarmin për rrezikshmërinë e rrugës, por duket se paralajmërimet nuk kanë prodhuar asnjë reagim konkret nga autoritetet spanjolle të infrastrukturës.
Gruaja e Jotës: Nga dasma te identifikimi në morg
Gruaja e Diogo Jotës, Rute Cardoso, mbërriti të mërkurën në Institutin e Anatomisë Ligjore në Zamora për të identifikuar trupat e dy vëllezërve. Çifti ishte martuar vetëm 12 ditë më parë, në një ceremoni intime pranë familjes dhe tre fëmijëve të tyre. Ajo dhe të afërmit janë nën kujdesin e psikologëve, ndërsa klubi i Liverpoolit ka ofruar mbështetje të plotë emocionale dhe logjistike.
Një ceremoni përkujtimore është planifikuar për këtë pasdite në kishën e Ngjalljes në Gondomar, ndërsa funerali do të mbahet nesër në orën 10:00 në kishën mëmë të qytetit, pranë Portos, ku lindën dhe u rritën dy vëllezërit.