Në fillim të saj, para pak çastesh është ndërprerë mbledhja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Këshilltarët e opozitës e lëshuan sallën, duke konsideruar si propagandë e provokim veprimin e drejtorit për Inspektorate, Edon Muqajt nga Vetëvendosje, i cili me ngriti numrin 55, duke aluduar në rezultatin e zgjedhjeve qendrore.
Kjo ndodhi derisa në foltore po fliste, asamblistja e PDK-së, Dafina Bllaca, e cili bëri kritika ndaj pushtetit lokal në Prizren, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Ndaj veprimit të tillë të drejtorit komunal reaguan këshilltarët: Shukri Quni, Simir Krasniqi, Fatmir Kastrati dhe Pranverim Berisha.
Ata kërkuan përjashtimin nga salla të drejtorit nga kryetari Mytaher Haskuka, i cili tha se në këtë rast nuk ka parë shkelje të statutit dhe nuk e konsideron provokim veprimin e drejtorit.
Përfaqësuesit e opozitës (PDK-së, AAK-së dhe NISMËS kërkuan që për shkak të rëndësisë së çështjeve të rendit të ditës, të mbahet një takim me shefat e grupeve të partive për të parë, nëse është e mundur, që mbledhja të vazhdojë.
Fatmir Kastrati (AAK) tha se nuk ka kuptim që mbledhja të vazhdojë me drejtorin Muqaj në sallë.
Ndryshe mbledhja e KK-së është ndërprerë edhe në seancën paraprake, kohë më parë, për shkak të mosprezencës në mbledhje të KK-së të anëtarëve të ekzekutivit, në qeverisjen e Haskukës./GazetaePrizrenit.net