25-11-2024

Ndërroi jetë Bujar Gjurgjeala, ish-delegati i Kuvendit që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut

Në moshën 72 vjeçare, mbrëmë nga një sulm kardiak, ka ndërruar jetë Bujar Gjurgjeala, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Ai ishte delegat i Kuvendit të Kosovës, që në vitin 1990, shpalli Deklaratën Kushtetuese, e që në histori tash më njihet si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, me të cilën institucionalisht iu vunë themelet shtetit të pavarur të Kosovës.

Gjurgjeala ka lindur në Prizren më 1946, dhe ishte inxhinier teknolog i shkolluar në Universitetin e Zagrebit.

Në vitet e rënda të historisë së Kosovës, kur regjimi i Milosheviqt suprimoi autonominë e Kosovës, ishte delegat në Kuvendin e Kosovës, ku para ndërtesës së tij institucionalisht bashkë me delegatë të tjerë shqiptarë, shpallën aktin historik, Deklaratën Kushtetuese, një akt që do të ndiqej pas disa muajsh, më 7 shtator të atij viti (1990), me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur me emrin Kushtetuta e Kaçanikut.

Pas kësaj, sikurse edhe delegatët tjerë, të përndjekur nga regjimi i Beogradit, vazhdoi aktivitetin jashtë Kosovës, në Slloveni e gjetiu.  Gjurgjeala një kohë qëndroi edhe në Çeki e Sllovaki, që të kthehej menjëherë pas çlirimit në vendlindjen e tij, Prizren.

Me 2 korrik 2004, është nderuar edhe me Medaljen shtetërore të Pavarësisë, nga Presidenti Ibrahim Rugova.

Përveç, kontributit politik ai ishte një punëtor i palodhur dhe në sport, përkatësisht në basketboll.

Gjurgjeala për shumë vite ishte kryetar i KB Bashkimi,  ndërsa ishte edhe njëri ndër më meritorët që ka kontribuar që loja e basketbollit të zhvillohej edhe në kohën e okupimit dhe regjimit serbo-sllav. Për këtë edhe drejtuesit e KB Bashkimi dhe “Ponte Prizreni” kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllime për vdekjen e tij.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën (28 nëntor), në varrezat e Prizrenit, në orën 12:00. Kortezhi niset nga Xhamia e Dragomanit./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Nuhi Salihu

 

Asnjë koment

Comments are closed.