Ndërroi jetë mjeku i Spitalit të Prizrenit, Nrek Bibë Dulaj
Në njoftimin e Spitalit, thuhet se Dr. Nrek Dulaj lindi më 20.12.1962
Më 22.09.1994 diplomon në fakultetin e mjekësisë në Prishtinë.
Pas diplomimit në mjekësi të përgjithshme, angazhohet në Shoqatën Humanitare Bëmirëse të Kosovës” Nëna Tereze”, dega në Prizren.
Nga data 02.11.1995 deri më 28.12.1996 punonte në ambulancën nr.2 në Ortakoll, ndërsa nga data 06.01.1997 deri më 30.09.1998 në ambulancën nr. 5 në Breg të Drinit.
Pas luftës, në vitin 1999 punësohet në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren. Në janar të vitit 2000 fillon specializimin për Mjekësi Interne në Prishtinë, të cilin e përfundon në korrik të vitit 2004, dhe rikthehet në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”në Prizren në cilësi të mjekut specialist në fushën e internos.
Në vitin 2005, nga Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”në Prizren dërgohet në Zagreb, për aftësimin profesional në fushën e gastroenterologjisë, për t’u ritkthyer në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren ku punoi deri në momentet e fundit të jetës.
Dr. Nrek Dulaj ishte i përkushtuar në punë. Ai me ndershmëri dhe përgjegjësi kreu detyrat dhe obligimet e punës, duke qenë në shërbim të pacientëve, sepse me kohë e kishte kuptuar se të jesh në shërbim të popullit tënd dhe gjithë atyre që kanë nevojē për ndihmë dhe shërbime shëndetësore është detyrë profesionale dhe humane.
Menaxhmenti dhe gjithë punonjësit e spitalit shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e dr. Nrek Dulajt.