Ka ndërruar jetë në moshën 62 vjeçare, profesori i Gjuhës shqipe dhe letërsisë i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Besnik Krasniqi, i cili ishte infektuar me Covid 19.
Para një jave ai është shtrirë për trajtim në spital, pasi kishte rezultuar pozitiv. Një kohë ka qenë edhe anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e PDK-së, si dhe anëtar i kryesisë së këtij subjekti. Për një kohë ka qenë në SBASHK-un e Prizrenit.
Nëpër rrjetet sociale, nga kolegët dhe bashkëveprimtarët e shumtë, me mëngjes ka nis shpërndarja e postimeve me njoftimet për shkuarjen e tij në amshim, shprehjen e dhembjes për profesorin shumëvjeçar të gjimnazit, Besnik Krasniqin, që ka përcjellur shumë gjenerata nxënësish.
“Lajmi për ndarjen nga jeta të mësimdhënësit tonë, prof. Besnik Krasniqi na ka pikëlluar të gjithëve dhe përmes këtij telegrami i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, miqve, nxënësve e të gjithë të njohurve të të ndjerit. Prof. Besnik Krasniqi ka dhënë një kontribut rreth 40 vjeçar në procesin arsimor dhe me ndarjen e tij nga jeta, shkolla jonë dhe i gjithë arsimi humbi njërin nga kontribuuesit më të mëdhenj të arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të gjimnazit “Gjon Buzuku”./GazetaePrizrenit.net