Ndërtimet e pasluftës në Kosovë, të pasigurta
Ndërtimet, të cilat janë bërë në Kosovë pas periudhës së luftës, po konsiderohen të pasigurta nga njohësit e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës.
Ata theksojnë se një tërmet si ai 26 nëntorit në Shqipëri do të rrënonte shumë ndërtime, të cilat janë bërë pa kritere e pa mbikëqyrje përgjatë këtyre 20 vjetëve, shkruan sot gazeta Zëri.
Ndërtesat e ndërtuara pas luftës në Kosovë janë kryesisht të pasigurta në raste të lëkundjeve të tokës.
Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri rrëzoi shumë ndërtesa dhe i bëri të pabanueshme shumë të tjera.
Kjo shpërfaqi ndërtimet e dobëta dhe të pakritera që janë bërë atje.
Më mirë nuk qëndron as Kosova, profesorë të ndërtimtarisë e arkitektë në Kosovë pohojnë se ndërtimet që janë bërë që nga paslufta në Kosovë janë të pasigurta.
Ata theksojnë se nuk janë aplikuar kriteret e nevojshme të ndërtimit dhe të mbikëqyrjes, madje nuk janë bërë inspektime nga organet kompetente as për ndërtesat ekzistuese.