26-11-2024

Ndërtoi pa leje në Prevallë, Prokuroria në Prizren akuzon një person

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., të cilin e akuzon se ka kryer ndërtime pa leje në fshatin turistik Prevallë, Komuna e Prizrenit.

“Sipas aktakuzës, nga data 16.09.2021 deri më datë 09.11.2021, në fshatin turistik Prevallë – Komuna e Prizrenit, saktësisht në zonën e tretë, afër rrugës kryesore Prevallë – Shtërpcë, i pandehuri kryen punë ndërtimore të kundërligjshme, në zonën e cila sipas ligjit përbën zonë të mbrojtur, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Ndërtim, bën ndërtimin e tri (3) mureve mbrojtëse si dhe një (1) pllakë nga betoni, me material të vrazhdë, duke ndërhyrë në natyrë të Parkut Kombëtar “Sharri”, përkundër faktit se ka qenë i vetëdijshëm se për këtë qëllim nuk posedon leje paraprake ndërtimore të lëshuar nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.

Permes një komunikate për medie nga prokuroria, thuhet se në datat e lartcekura, gjatë inspektimit në terren të punimeve nga mbikëqyrësi i zonave të mbrojtura të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” haset duke kryer punime.

Me këto veprime, B.K., akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje” nga neni 359, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2, të Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në fund të njoftimit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.