Ndërtues në Shqipëri, trafikant në Spanjë! SPAK i merr 23 pronat miliona euro bosit
Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkon Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë 23 pronat që i ka sekuestruar një vit më parë ndërtuesit Pashuk Gjini që njihet edhe si Pashuk Gjini dhe Anton Gjinaj, i cili u lirua nga burgu në fund të vitit të kaluar. SPAK thotë se personi në fjalë, biznesmen ndërtimi dhe jo vetëm në Spanjë është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim për trafik droge.
Po kështu, po sipas prokurorisë rezulton se Pashuk Gjini në muajin Qershor te vitit 2006 në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal; Eduart Shehi, Matijas Fernadez, Maxim Antonov, Roy Evans, Edwin Dubbelman, Pieter Cornels dhe persona te tjerë të paidentifikuar, kanë trafikuar në Spanjë një sasi prej 50 kg e 610 gram lëndë narkotike të llojit heroinë me një vlerë tregu prej 1 941 623 Euro”.
Më tej, SPAK thotë se pasuria që është vendosur nuk justifikohet për këtë arsye kërkohet konfiskimi. “Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) GJINAJ (Gjini), i biri i Ndue dhe i Prendë, i datëlindjes 08.04.1966, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, identifikuar me numër personal ID G60408041I dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë” për këtë arsye kërkohet që të kalojnë në favor të shtetit. Mes pasurive është firma e ndërtimit “Alesio”./5pyetjet.al