27-11-2024

Ndodh në Prizren: Dyshohet se ngatërruan kufomat, kërkohet paraburgim për dy punëtorët e kompanisë për shërbime funerale

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore e këtushme ndaj të pandehurve E.R., dhe M.N., nën dyshimin se ngatërruan kufomën, duke ia dorëzuar familjarëve trupin e dikujt tjetër, raporton Gazeta e Prizrenit.

Të dyshuarit me vendim të prokurorit, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh,

Përmes një komunikate për medie, thuhet se sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale)  me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.

“Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K”, thuhet në njoftim.Sipas prokurorisë, trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe iu është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K.”

Tutje thuhet se më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D.

Bëhet e ditur se e gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policorë dhe më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë.

Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413, të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Asnjë koment

Comments are closed.