Problemet e trashëguara në arsimin prizrenas, janë shtuar në pesëvjeçarin e fundit, veçanërisht gjatë qeverisjes së kaluar lokale të Mytaher Haskukës.
Në tri vitet e fundit, ky sektor ka shënuar rekord apo ka pasur tre drejtorë: Skënder Susurin ( e dënuar nga Gjykata) e Gani Gërmizajn (Nisma) dhe Xhemile Thaçi- Vezgishin (VV) ndërsa me rikthimin në pushtet të PDK-së, një muaj më parë, drejtimin e ka marrë Luljeta Veselaj-Gutaj.
Përjashtuar ndonjërin, pothuajse të gjithë drejtorët e arsimit të pasluftës, punën e kanë nisur me vizita nëpër shkolla, duke paralajmëruar përkrahje dhe risi në udhëheqje.
Në këtë kontekst ata janë njohur edhe me vështirësitë e problemet, të cilat mbase kësaj radhe, sipas njoftimeve nga terreni janë shtuar. Në këtë gjendje ka ndikuar mungesa e menaxhimit përkatës, meqenëse ish-drejtoresha e DKA-së, pothuajse kishte pamundësuar komunikimin për shumicën e menaxherëve të shkollave, të cilët edhe ashtu i kishin të paqarta pozitat e tyre.
Ndonëse kishte premtuar përmirësime në arsim, ndryshe patën dalë gjërat gjatë qeverisjes së Haskukës, ku pothuajse nuk ka pasur konkurs, që nuk kishte përfunduar në gjykatë. Paradoksi më i madh që edhe do të mbahet në mend, ishte largimi përmes zarfeve i disa drejtorëve.
Për më keq ky veprim i paparë ishte edhe selektiv, vetëm ndaj disa kuadrove të zgjedhur në kohën e PDK-së, që mbase nuk kishin pranuar nënshtrim partiak, por edhe duke reaguar ndaj veprimeve amatoreske të DKA-së. Kjo kishte ndodhur pikërisht në shkollat, ku sipas vlerësimeve të kolektiveve e prindërve, kishte pasur sukses në menaxhim, sikurse në “Lekë Dukagjini” e “Mustafa Bakiu”. Referuar përfaqësuesve nga SBASHK-u, pas kësaj në ato shkolla ka filluar rënie e dukshme e nivelit.
Të larguarit, të cilët më pas çështjen e bartën në gjykatë u zëvendësuan me të emëruar, të preferuar partiak, që ishin treguar të gatshëm për marrje pozitash, si u.d, ndonëse në disa raste pa ditur as si startohej kompjuteri dhe pa plotësuar as kriterin e udhëheqjes apo menaxhimit.
Veprime të tilla natyrisht se nuk ishin parë me sy të mirë, nëpër kolektive, ku pos ndonjë servili(e), nga shumica e anëtarëve të kolektivit, madje janë konsideruar edhe si të dhunshëm, meqenëse nuk ishin zgjedhur me konkurs.
Këto dhe veprime të tjera shkonin duke e komplikuar gjendjen. Për këtë, gjatë qeverisjes së Haskukës janë mbajtur më së shumti mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal kushtuar arsimit, së paku tri sosh brenda dy vitesh.
Përkundër që po bëhen dy muaj nga marrja e detyrës së kryetarit të ri, Shaqir Totaj, nuk u pa ndonjë hap konkret në rikthimin e të larguarve me zarfe, duke treguar se jo vetëm që ajo formë, që shërbeu si pikëkthese për aktivizimin e ish-opozitës ndaj veprimeve të Hakukës, ishte e papranueshme, por as që duhet përsëritur.
Kjo edhe për shkak se disa nga këto shkolla, sidomos në gjimnazin “Remzi Ademaj“ ( ku sipas disa mësimdhënësve ka filluar haptas pirja e duhanit nga nxënësit nëpër korridore të shkollës dhe ka mungesa ), e në “Lekë Dukagjini” e “Mustafa Bakiu”, gjendja është përkeqësuar.
Një situatë e tillë me tendencë përkeqësimi është edhe në shkollat tjera, kryesisht të drejtuara me ushtrues detyre të drejtorit apo zv/drejtorit. Në disa raste, atyre madje u ka kaluar karriera vetëm si u.d. (tri vjet radhazi). Është ngarkuar me honorar një numër i mësimdhënësve e ka shumë zëvendësime.
Ka u.d drejtor e zv/drejtor që marrin honorar duke mbajtur dy pozita njëkohësisht. Kjo ndodh derisa shumë kuadro të reja janë në pritje, madje edhe kur ekzistenca familjare varet prej një page.
Referuar përfaqësuesve sindikal, në shumë shkolla tashmë ka rënë disiplina. Për këtë dhe disa çështje të tjera, lexoni nesër, në pjesën e dytë të këtij shkrimi me titull: Shkollat në pritje të menaxherëve të rinj.
/GazetaePrizrenit.net