27-11-2024

Në Hamamin e Prizrenit ekspozohen diploma, vendime, vula, monedha e Kur’an të vjetra 250 vjet

Në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren është hapur ekspozita “Dokumentet Osmane Nga Shekulli XVIII-XX të gjetura në Komunën e Prizrenit’’ të autores Mediha Fishekçiu, bashkëpunëtore për orientalistikë në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren.

Sipas njoftimit për media të kësaj Qendre, ekspozita në fjalë është konceptuar në atë mënyrë duke paraqitur vlerat dhe rëndësinë e dorëshkrimeve të ndryshme të periudhës osmane të cilat gjetur dhe dokumentuara nga ana e bashkëpunëtoreve profesional të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren gjatë punës hulumtuese të bërë në terren.

“Dokumente të shumta si diploma, vendime, vula, monedha, si dhe Kur’ani dyqind e pesëdhjetë vjeçare janë dokumente të cilat përmes fotografive janë prezantuara në këtë ekspozitë”, thuhet në njoftimin për media.

Në emër të Ministrisë së Kulturës foli Samir Hoxha, këshilltar i lartë politik dhe shef kabineti i ministrit të Kulturës. Ai ndër të tjera theksoi se “përveç monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore që ka qytetit i Prizrenit, veçanërisht të periudhës osmane si Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmet Pashës, Ura e Gurit e Sahat Kulla, sot përmes kësaj ekspozite po i shpalosim edhe dokumentet e asaj periudhe, të panjohura deri më sot për publikun, të cilat dëshmojnë rëndësinë e qytetit të Prizrenit gjatë Periudhës Osmane”.

“Pas ekspozitës ‘’Unë jam Shqiptar’’ që u hap të hënën në Muzeun Arkeologjik, ekspozita e sotme “Dokumente Osmane nga shekulli XVIII-XX’’ është ekspozita e dytë që me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizohen në qytetin e Prizrenit dhe kjo dëshmon më së miri përkrahjen që po e japim në promovimin e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit”, citohet të ketë thënë Hoxha./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.