Në Has përurohet Shtegu i Lirisë “Pashtriku”, Kurti: Kriminelët serbë ikën – tash këtu jemi ne, pasardhësit e UÇK-së
Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik.
Në Pashtrik 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
“13 dhjetori i vitit 1998, me kushte shumë të vështira atmosferike, borë, ngricë e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë”, u shpreh kryeministri.
Ai ktheu në kujtesë se pikërisht më 14 dhjetor të vitit të kaluar, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, filloi projekti i cili sot u përurua – shenjëzimin e “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.
“Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të mund të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme tek të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha kryeministri.
“Përderisa ecim drejt një të ardhme të ndritur, le të mos harrojmë asnjëherë se prej nga vijmë dhe sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë, që ne sot të mund të kemi Republikën demokratike, shtetin e pavarur, institucionet shtetërore dhe zhvillim ekonomik, me rini të talentuar dhe të pashoq kur bëhet fjalë për sukses dhe progres”.
“Ata kriminelë serbë të cilët me rroba ushtarësh, paramilitarësh e policësh vendosnin prita nëpër malet e Kosovës, kanë ikur. Ndërkaq këtu jemi ne, populli, pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kremtojmë edhe çlirimin e vendit tonë por njëkohësisht përkujtojmë sakrificën, flijimin, rënien heroike të atyre dëshmorëve të cilëve ua kemi borxh edhe gëzimin e lirisë edhe shtetin që e gëzojmë”.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u qoftë i mbarë rrugëtimi të gjithë motoçiklistëve pjesëmarrës në Kupën e Kosovës”, deklaroi Kurti në këtë ngjarje.
Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit. Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.