24-11-2024

Në Korishë përkujtohet 20-vjetori i Betejës së Kabashit

Në Korishë, sot është organizuar manifestim përkujtimor për shënimin e përvjetorit të 20-të të Betejës së Kabashit dhe rënies heroike të dëshmorëve, Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi. Pjesë e këtij manifestimi ishin familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës, banorë të këtij lokaliteti dhe fshatrave përreth, kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot janë të bashkuar të gjithë, sepse në këto ngjarje vetëm kështu ia vlen, duke shtuar se, ne në Kosovë jemi në të drejtën tonë, kemi pranuar në tokën dhe në shtëpinë tonë popujt që kanë ardhur nga larg, dhe iu kanë lëshuar tokë e hapësirë atyre, dhe këtë e di dhe e thotë edhe historia.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Tani jemi në kohën kur ne duhet të kujdesemi për shtëpinë, tokën dhe atdheun tonë, sepse nëse ka popull në Ballkan që ka dhënë për të tjerët jemi ne, theksoi ai. Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi, tha se trimat e Korishës në Betejën e Kabashit,ishin pasues të atdhedashurisë së të parëve të tyre, të cilët historikisht luftuan për dëbimin e pushtuesve. Në emër të këshillit organizativ të këtij manifestimi ka folur, Rexhë Ukaj, i cili tha se, kjo ditë e karakterizon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të pragut të shtëpisë, mbrojtjen dhe nderin e krenarisë së Kabashit, që e pati traditë dhe e kultivoi me shekuj.

Ndërkaq, ish komandanti i batalionit të dytë të UÇK-së në Kabash, Lulzim Kabashi, tha se djemtë e Kabashit luftuan gjithandej Kosovës, duke dhënë gjithçka nga vetja për çlirimin e vendit, dhe shtoi se, betejat e lavdishme të luftës çlirimtare nuk mund të zbehen, ato edhe sot po kanë jehonë dhe duhet të respektohen e të nderohen edhe në të ardhmen. Pas përfundimit të fjalimeve, kryeministri Haradinaj në shenjë respekti i ka ndarë medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Batalionit Kabashi, të cilën e pranoi komandanti , Lulzim Kabashi. Për të gjithë të pranishmit në këtë manifestim, është shfaqur një program i pasur artistik nga nxënësit e shkollës dhe këngëtarë të këtij lokaliteti./tvprizreni/

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.