Në Malishevë i dyshuari ndalohet për 48 orë pas kan*osjes ndaj ish-të fejuarës
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Malishevë, ku një e mitur ka denoncuar ish-të fejuarin e saj për kanosje përmes telefonit.
Ngjarja është raportuar më 02.01.2026 rreth orës 16:30, kur ankuesja H.M., rreth 17-vjeçare, është paraqitur në Stacionin Policor në Malishevë dhe ka deklaruar se ish-i fejuari i saj, D.K., e ka kanosur përmes thirrjeve telefonike, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas deklarimit të viktimës, telefonatat e të dyshuarit kanë qenë shqetësuese dhe kërcënuese, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri, çka ka bërë që rasti të trajtohet në kuadër të dhunës në familje.

I dyshuari është intervistuar nga zyrtarët policorë, ku ka pranuar se e ka telefonuar ish-të fejuarën, por ka mohuar se gjatë bisedës e ka kanosur atë. Pavarësisht mohimit, rasti është trajtuar nga polici i specializuar për dhunë në familje.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari D.K., është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në mbajtje.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim. Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri.
