Në mbyllje të misionit, kontingjenti gjerman i KFOR-it falënderim prizrenasve për bashkëpunimin
Me ftesë të KFOR-it gjerman, sot zyrtarë të komunës së Prizrenit, kuvendarë dhe deputetë, kanë vizituar kampin e forcave paqeruajtëse në Prizren, i cili nga viti në vijim do të shndërrohet në Park për Inovacione dhe Trajnim.
Kontigjenti i 50-të i KFOR-it gjerman, është duke i bërë përgatitjet e fundit për largim nga kampi në Prizren, pasi që ai nga viti 2019 do të ndryshoj destinacionin, duke u shndërruar në Park për Inovacione dhe Trajnim.
Komandanti i këtij kontigjenti, Erik Oferman ( Eric Offerman), tha se po tërhiqemi nga Prizreni, mirëpo me bindje se misioni ynë ushtarak është përmbushur plotësisht, fal mbështetjes dhe të qytetarëve të Prizrenit dhe më gjerë, ndërsa me Parkun e ardhshëm, Gjermania do të përpiqet që edhe në të ardhmen të jep kontributin e saj për zhvillimin e Prizrenit, theksoi ai.
Ndërkaq, Rexhep Gashi, nga organizata GIZ e cila ka qenë e angazhuar nga ministria federale e Gjermanisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, për studimin e fizibilitetit të Kampusit të deritanishëm të KFOR-it, tha se Parku për Inovacione dhe Trajnim do të përfshijë pesë fusha të ndryshme: Teknologjinë informative; bujqësinë,ushqimin dhe agropërpunimin; industrinë kreative; turizmin; arsimin, shkencën dhe hulumtimin, sqaroi ai.
Ndryshe, kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1200 persona. Gjatë kësaj vizite të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme, është bërë e ditur se KFOR-i gjerman me datën 26 Shtator të këtij viti, FSK-së do t’i dhuroj 44 automjete të ndryshme. Ndërsa, me datën 04 Tetor në kremtën e bashkimit të Gjermanive, KFOR-i do të organizoj një parakalim lamtumirës së Bundesverit në sheshin Shatërvan./tvprizreni