Në ndeshjen e Ligës Ballkanike Rahoveci vs Vllaznia nderohet Kobe Bryant
Legjenda e basketbollit të NBA-së, Kobe Bryant, vdiq ditën e djeshme si pasojë e një aksidenti me helikopter derisa po shkonte, bashkë me të bijën e tij 13-vjeçare dhe 7 persona tjerë për të përcjellë një ndeshje basketbolli.
Shumë skuadra basketbolli në SHBA nderuan veprën e Bryantit duke mos luajtur 24 sekondat e para të ndeshjeve, që përkon me numrin e tij që mbajti në fanellë, 24.
Edhe në ndeshjen mes Rahovecit e Vllaznisë së Shkodrës në kuadër të Ligës Ballkanike (BIBL), lojtarët bënë të njëjtin veprim, duke mos luajtur me top në 24 sekondat e para të ndeshjes, gjest që u prit me ovacione e duartrokitje nga shikuesit e mbledhur në sallë, raporton Koha.net.
Ndeshja më pas vazhdoi rrjedhën normale, ku dy skuadrat u treguan të barabarta pothuajse gjatë gjithë ndeshjes.
Ishte skuadra e Vllaznisë ajo që e nisi takimin shumë më mirë se Rahoveci, duke realizuar 12 pikë në raport me asnjë të Rahovecit në minutat e para të ndeshjes. Megjithatë, çereku i parë përfundoi me vetëm 2 pikë epërsi për mysafirët – 21 me 19. Pjesa e parë sërish përfundoi në të mirë të Vllaznisë, me rezultat 41 – 36, ndonëse gjatë këtij çereku “Vreshtarët” arritën të kthehen në lojë, e madje edhe të kalojnë në epërsi.
Vllaznia edhe çerekun e tretë e përfundoi me epërsi prej 2 pikësh (59-61), por fitorja në fund i takoi “Vreshtarëve” të cilët krejt në sekondat e fundit të ndeshjes arritën të përmbysnin rezultatin dhe të përfundonin takimin me rezultatin 78 me 73.