23-10-2025

Në Prizren ngritet Aktakuzë ndaj shtetasit turk që vr*au vajzën e tij me thikë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit turk me inicialet M.G në dyshimet se i njëjti kishte vrarë me thikë vajzën e tij 15-vjeçare,  përcjell Gazeta e Prizrenit.

Krimi i rëndë kishte ndodhur në maj të këtij viti në banesën ku jetonte familja në  Prizren.

Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit, dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima Sh.G., dhe e dëmtuara A.R.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë, transmeton Klankosova.tv.

Prokuroria bën të ditur se në momentin kur viktima Sh.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij.

“I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë.

Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arritur ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.

Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri M.G., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

 

Asnjë koment

Comments are closed.