Në Prizren një shtetase gjermane gjendet pa shenja jete, në një hotel
Një rast i rëndë është shënuar sot në Prizren, ku një shtetase gjermane është gjetur pa shenja jete në një hotel, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Më 28.09.2025, rreth orës 08:00, Policia është njoftuar nga Qendra e Urgjencës për një person pa shenja jete në hotelin “Premium Park”, në rrugën “Ekrem Rexha”.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se viktima është Linker Wolf Almut Veronika, shtetase gjermane, e cila është gjetur e pajetë në banjën e dhomës së hotelit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima kishte ardhur në Kosovë për pushime, pasi nusja e djalit të saj është nga Kosova. Sipas informacioneve, ajo ka qenë e vetme në dhomë dhe rreth orës 03:00 familjarët kanë tentuar të kontaktojnë me të duke trokitur në derë, por nuk është përgjigjur.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, dera e dhomës është hapur nga punëtorët e recepcionit, të cilët kanë njoftuar Urgjencën. Mjeku kujdestar ka konstatuar në vend se viktima ishte pa shenja jete.
Rasti është në hetim dhe pritet të sqarohen rrethanat e plota të vdekjes.