Në Prizren prezantohet programi i filmave “Jeta pas Enverit…”
Fondacioni “Lumbardhi” dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit të Shqipërisë prezantojnë në Prizren programin e filmave “Jeta pas Enverit: Kinematografia shqiptare e viteve 1990”, i cili ka filluar më 4 maj dhe do të zgjasë deri më 22 maj, ku do të shfaqen filmat çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 21:00, te “Lumbardhi”.
“Njëzet e pesë vjet pas rënies së sistemit njëpartiak të vendit, ende shumë pak dihet për kinemanë shqiptare. Gjatë katër dekadave e gjysmë të sundimit komunist krijuesit e filmave në kompleksin e Kinostudios prodhuan 232 filma të gjatë, mijëra dokumentarë, lajme dhe qindra filma të animuar. Me fundin e regjimit komunist në vitin 1991 regjisorët shqiptarë u ballafaquan me një diskurs të ri politik, ku mund të reflektonin haptazi mbi historinë e vendit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve duke shtuar se shumë prej këtyre regjisorëve e shfrytëzuan këtë mundësi për t’u marrë me trashëgiminë e diktaturës së Hoxhës. “Të tjerët sollën reagime dramatike të korrupsionit dhe ngritjen e papritur të veprimtarisë kriminale të shkaktuar nga kalimi i papritur në kapitalizmin e tregut. Lufta civile e vitit 1997 pothuajse stagnoi prodhimin e filmit shqiptar tërësisht. Filmat si ‘Dasma e Sakos’ (1998) e Vladimir Priftit u përfunduan në rrethana jashtëzakonisht të vështira”, theksohet po aty.
I përbërë nga filma të shkurtër dhe të gjatë, animacion dhe dokumentarë, ky program i filmave ofron një paraqitje të shkurtër të një kombi që lufton me të kaluarën e vet tronditëse dhe me ndikimin e tij të vazhdueshëm në të tashmen.
Programi u organizua në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë, në
bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Ky program i filmit është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Hapësirat kulturore të Kosovës’ të paraqitura nga “Anibar”-i, “Lumbardhi”, “7Arte” dhe “Pogon”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e “Lumbardhit” dhe e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë dhe jodomosdoshmërish reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Hyrja në të gjitha sesionet do të ofrohet falas.