Në Prizren prezantohet Propozim-rregullorja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Komuna e Prizrenit përmes debatit publik, të enjten, ka prezantuar përmbajtjen e Propozim-rregullores për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me këtë rast, zyrtarët e ekzekutivit lokal kanë theksuar se ky akt komunal synon mbrojtjen e këtyre të drejtave, sikurse që përcakton edhe masat dhe veprimet të cilat duhet të ndërmerren në këtë drejtim.
Nënkryetarja për komunitete, Memnuna Ajdini, ka theksuar se fëmijët janë e ardhmja dhe se institucionet duhet të krijojnë hapësirë të mjaftueshme që ata t’i njohin të drejtat e tyre sikurse edhe t’i promovojnë ato. “Mirëpo krahas prezantimit të drejtave secilën herë duhet t’i përkujtojmë fëmijët edhe për obligimet që i kanë. E këto obligime do të jenë asisoj, siç ua servojmë ne, ngase ne jemi shembull për ta”, ka thënë Ajdini. Ajo ka vlerësuar se arsimimi i fëmijëve është i domosdoshëm, por se në këtë aspekt nuk duhet harruar edhe edukimin e tyre.
“Shoqëria kosovare do të përparojë aq sa ne u kushtojmë rëndësi gjeneratave të reja”, ka deklaruar nënkryetarja për komunitete.
Ndërsa drejtori i Administratës, Osman Hajdari, ka theksuar se Komuna e Prizrenit është e interesuar për të krijuar sa më shumë politika publike për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.