Procesi zgjedhor në komunën e Prizrenit nisi normalisht. Nysret Bytyqi, zyrtar i lartë në Komisionin Komuna Zgjedhor, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” se materiali i ndjeshëm është shpërndarë me kohë në qendrat votuese, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, vendvotimet janë hapur me kohë, në orën 7:00 të mëngjesit.
Edhe në shkollat “Abdyl Frashëri” e “Lekë Dukagjini” ndër më të mëdhatë në Prizren, votimi është hapur me kohë.
Referuar informacioneve, deri me tani procesi ka vazhduar të jetë i rregullt dhe i qetë.
Të drejtë vote, në këtë komunë, kanë 173.556 qytetarë, ndërsa afro 4.700 do të votojnë për herë të parë. Këtu janë hapur 222 vendvotime apo tri më shumë se në zgjedhjet e fundit.
Në mëngjes, pjesëmarrja e qytetarëve për të votuar ishte kryesisht e vogël, por duket se prizrenasit preferojnë pjesën tjetër të ditës, të cilën po e karakterizon moti me diell, për të hedhur votën e tyre.
Numri qytetarëve që po dalin për ta kryer obligimin qytetar po vazhdon të rritet në këtë Komunë. Pritet që pas orës 11:00 të jepet raport rreth përqindjes së daljes në votim, shkruan “GazetaePrizrenit”.
Për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendvotime është angazhuar një numër i pjesëtarëve të policisë, si dhe i monitoruesve të pavarur.
Ndryshe janë mbi 45 kandidatë nga komuna e Prizrenit, që pretendojnë të jenë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Në garën parazgjedhore, përveç subjekteve të shumicës shqiptare, ata janë futur edhe përmes subjekteve të ndryshme minoritare, përfshirë ato turke, boshnjake dhe të komunitetit RAE.
Derisa në këto gara së paku nga popullata shumicë shqiptare, askush nuk ka marrë të guximin të garojë si i pavarur, në Prizren këtë e ka bërë një, pjesëtarë nga komuniteti boshnjak./GazetaePrizrenit.net