Shkruan: Qazim Morina
Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia, pas Prishtinës si kryeqendër, por tashmë është “Kryeqyteti Historik” i Kosovës. Jo vetëm nga vendorët, por edhe nga të huajt, Prizreni vlerësohet si më i bukuri ndër viset shqiptare.
Një numër i madh i vizitorëve shqiptarë, këtu bëjnë foto e postojnë nëpër internet me mbishkrimin “Në Prizren ma t’ bukurin vend”. Për dallim nga viti i kaluar, kur për shkak të pandemisë mbretëroi heshtja, këtë verë si duket ka filluar të rikthehet “lezeti” i shëtitjeve në kalldrëmin e qendrës.
Pos gjallërisë dhe vizitave gjatë ditës, këtu tashmë janë shtuar edhe ato gjatë orëve të mbrëmjes, duke e shndërruar këtë në një qendër të ‘”gjallë” e me jetë të natës, çastet e të cilës zgjasin deri në orët e vona.
Duket se po rikthehet gjallëria e munguar. Prizreni tashmë nuk “pushon” nga bezdia e ditës së nxehtë dhe zhurma e kolonave të automjeteve, përmes qytetit, shpesh të “telejisuara” për dasma e ceremoni familjare, të cilat këtu janë madhështore.
Prizreni ka lezetin e tij, në stilin “alla turka” e “alla franga”. Këtu kryqëzohen kulturat.
Në stilin e tij, Prizreni në modë përsëri e mban “Shatërvanin” e bukur, duke e bërë natën ditë, e ditën natë, jo vetëm gjatë kohës kur këtu mbahet festivali ndërkombëtar i filmit “DokuFest”, që tashmë pas 20-të edicionesh ka krijuar identitetin e tij.
Prizrenit s’i del “boja” edhe në kohë me vapë, si të këtyre ditëve pasi ka edhe aktivitete të tjera, si Panairi i librit, e të ngjashme, të cilat ndikojnë edhe në zhvillimi e turizmit kulturor.
Edhe më energjik atë e bëjnë mërgimtarët, duke ia dhënë “një infuzion” të mirë ekonomisë së këtushme. Si zakonisht bashkë me ndonjë veturë të tipit më të ri, ata sjellin edhe modën e fundit.
Kësisoj, mund të thuhet lirisht, se Prizrenit tashmë po i rikthehet jeta 24-orëshe. Edhe mbrëmjet po bëhen të veçanta. Ato në trend i mbajnë të rinjtë, të cilët më tepër janë të përqendruar në zonën qendrore. Si asnjëherë më tepër, këto ditë “Shatërvani” është i mbushur me tavolina, aq sa në disa raste, mbetet vetëm një “shteg” i ngushtë për të kaluar. E në disa pjesë, “ndeja” bëhet në këmbë. Mes të pranishmëve, ka edhe shumë mysafirë nga qytetet tjera, e madje edhe nga ato të Shqipërisë.
Dalëngadalë tradicionalja po i bën “konak” modernes. /GazetaePrizrenit.net/