Së shpejti pritet që të funksionalizohen kamerat e sigurisë të vendosura nëpër Prizren. Kryetari i Komunës, Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se çështja e tyre ndodhet në proces të tenderimit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Në kontekstin e rritjes së nivelit të sigurisë, përfaqësues të Policisë së Kosovës gjatë dëgjimit të fundit publik me qytetarë për hartimin e buxhetit për vitin 2020, i kanë kërkuar kryetarit ta ketë parasysh çështjen e kamerave dhe të ndriçimit në qytet.
Çështja e Kamerave është diskutuar edhe gjatë mbledhjeve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren, pjesë e të cilit janë akterët më të rëndësishëm të institucioneve dhe të shoqërisë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Funksionalizmin e tyre parashihet ta bëjë Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit.
Referuar deklarimeve të mëparshme të drejtorit, Faruk Dakaj, po ashtu pritet edhe shtimi i numrit të kamerave të reja, të cilat parashihet të vendosen në lokacione që vlerësohen si pika strategjike. /GazetaePrizrenit.net/