25-11-2024

Në Prizren shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

Në Prizren sot është shënuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Manifestimi tradicional u mbajt në amfiteatrin e UPZ “ Ukshin Hoti”, ku të pranishëm ishin veteranë të arsimit, mësimdhënës, nxënës dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Kryetari i komunës, Shaqir Totaj, tha se investimi më i qëlluar për të ardhmen është investimi në arsim si ndër fushat më të rëndësishme, ndërsa tha se në këtë ditë të shënuar, kujtojmë edhe breza të tërë që dhanë kontribut në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit shqip.

Para të pranishmeve foli edhe drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj – Gutaj. Në këtë manifestim është vlerësuar lartë kontributi edhe i mësimdhënësve që janë pensionuar gjatë vitit 2022 dhe 2023, në mesin e të cilëve edhe mësimdhënësja, Nurishahe Kryeziu, e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm katër dekadash në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, kompania “ Abi Çarshia” do të dhurojë bonus kartela në vlerë 50 euro për 82 mësimdhënësit e pensionuar gjatë vitit të fundit, si dhe për 22 nxënës të shkollave të Prizrenit, fitues të garave në matematikë e fizikë në nivel komunal dhe atë republikan, njoftoi pronari i kësaj kompanie, Evren Fusha.

Me këtë rast janë nderuar me mirënjohje dhe dhurata simbolike punëtorët më të dalluar arsimor si dhe nxënësit më të suksesshëm në gara të ndryshme.

Për të gjithë të pranishmit është shfaqur një program i pasur artistik nga nxënësit e shkollës së muzikës “ Lorenc Antoni”.

/ Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.