24-11-2024

Në Prizren, sot vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut

Sot në Prizren, në ora 11:00 do të vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Referuar njoftimit të Komunës së Prizrenit, tashmë është përcaktuar lokacioni dhe ai është tek rrethrrotullimi pranë stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë, tek ish-qendra tregtare “Ben-af”.

Fillimisht ishte propozuar ky lokacion, por propozim i komisionit të ekzekutivit prizrenas, pat shkaktuar reagime nga pjesëtarët e shoqërisë civile, të cilët kanë përkrahën idenë që shtatorja për Skënderbeun, duhet të ngrihet në qendër të Prizrenit.

Organi më i lartë lokal, Kuvendi Komunal, kohë më parë ka miratuar vendimin për ngritjen në Prizren shtatores së Skënderbeut dhe bustin e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Vënia e gurthemelit të shtatores së Skënderbeut, bëhet në kontekstin e 28 Nëntorit-datës që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare.

Ndryshe, sipas projektit të propozuar, parashihet që shtatorja e Skënderbeut të këtë lartësi prej 3.3 metrash, me gjerësi prej 1 metër.

Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do ta bëjë  Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”,  ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit./ GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.