Në Prizren s’po respektohet Ligji për Zhurmën, banorët e Qendrës Historike vazhdojnë të ankohen
Ka disa vjet që banorët e Qendrës Historike të Prizrenit janë në hall me zhurmën që krijohet nga kafiteritë e kësaj zone.
Të shqetësuar nga kjo gjendje, ata ankohen se niveli i zhurmës është rritur së fundmi, sidomos në orët pas mesnatës.
Në Këshillin për Trashëgimi Kulturore thonë se kafiteritë lëshojnë muzikë me zë shumë më të lartë sesa e lejon ligji, raporton KTV.
Organizatat kulturore të kësaj komune kanë kërkuar që të merren masa urgjente për ndalimin e zhurmës dhe shkarkimin e trafikut në Qendrën Historike.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, thotë se inspektorati komunal vazhdimisht shqipton gjoba ndaj këtyre bizneseve.
Prizreni ende nuk ka rregullore e cila do të përcaktonte orarin e punës së bizneseve dhe të drejtat e tyre.
Miratimi i saj ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve ndërmjet komunës dhe bizneseve, pasi këto të fundit nuk po pajtohen me kufizimet që janë planifikuar të vendosen ndaj tyre.
Haskuka kritikon Policinë se nuk po e mbështet sa duhet inspektoratin në aksionet kundër zhurmës së tepërt.
E, për të rritur shpejtësinë e reagimit ndaj bizneseve që shkelin ligjin, në Qendrën Historike, komuna ka ndarë një zyrë për Policinë, e cila sipas Haskukës do të funksionalizohet së shpejti.