Zgjedhjet qendrore, të mbajtura më 6 tetor nuk kaluan pa probleme. Edhe në këtë proces zgjedhor u shkel ligji dhe rregullat që janë të përcaktuar për zgjedhjet.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, në mesin e aktakuzave për persona të cilët nuk kanë respektuar procesin zgjedhor janë edhe tre nga rajoni i Prizrenit.
Në Prizren është ngritur aktakuzë kundër A.M. dhe F.S për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” . Prokuroria Themelore në Prizren njofton se sipas aktakuzës, i pandehuri A.M., me datë 06.10.2019 rreth orës 13:20 minuta në Mamushë në vendvotimin 3201A në shkollën fillore “Anadolu” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton fletëvotimin përmes telefonit celular “Samsung Galaxy J3” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” .
Ndërsa i pandehuri F.S., me datë 06.10.2019 rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor ”Xhavit Sylaj” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton, fletëvotimin përmes telefonit celular “iPhone XR” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” si dhe në portalin ,”Suhareka online”.
Te të gjitha këto raste thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Valmir Ismaili nga Demokraci Plus ka thënë për Telegrafin se të gjithë personat që kanë bërë këto shkelje dënohen me kodin penal të Kosovës nga një deri në pesë vite burgim.
“Kodi Penal i Republikës së Kosovës i sanksionon shumë mirë të gjitha veprat penale që lidhen me cenimin e fshehtësisë së votës apo përcaktimin e lirë të votuesve. Nga një deri në pesë vite me burgim mund të dënohet secili person që bënë ndonjërën nga shkeljet e sipërpërmendura. Fatkeqësisht, në të kaluarën ata që kanë kryer këto vepra nuk kanë marrë dënimet e merituara apo ka edhe raste që janë akoma në proces. Kjo ka ndikuar që mos të ketë një vetëdijesim të duhur të komisionerëve por edhe personave të tjerë që mos të bëjnë veprime të tilla”, ka thënë ai.
Sipas Ismailit edhe po të ketë monitorim të madh nëse nuk ka vendime sanksionuese atëherë shkeljet mund të përsëriten.
Në momentin kur shkelësit e ligjit marrin dënimet e merituara atëherë rastet e tilla do të jenë më të vogla ose nuk do të ndodhin fare. Monitorimi sado i madh që të jetë, nëse nuk ka vendime sanksionuese nga organet kompetente, në këtë rast gjyqësori, atëherë rastet e shkeljeve mund të përsëriten”, është shprehur ai.
Ndryshe rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta. Ndërsa ende nuk ka përfunduar procesi i certifikimit të votave./GazetaePrizrenit.net