Në Prizren u hap panairi i produkteve artizanale
Në qendër të Prizrenit, sot, u hap panairi i produkteve artizanale, në kuadër të projektit “Ringjallja e Zejeve dhe Ndërtimi i Kulturës për Zhvillimin e Përbashkët Turistik”.
Referuar njoftimit nga Komuna e Prizrenit, iniciativa është financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke synuar promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fuqizimin e zejeve tradicionale në rajon.
Pjesë e panairit janë artizanë dhe prodhues nga Komuna e Prizrenit, Shkupit dhe Tetovës, të cilët prezantuan punimet e tyre unike dhe tradicionale, që tërhoqën vëmendjen e shumë vizitorëve.
Krahas ekspozitës së produkteve, organizatorët ofruan edhe një platformë për takime biznesi B2B, me qëllim shkëmbimin e kontakteve, rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin ekonomik. / Gazeta e Prizrenit