Në rigjykim, dënohet me 19 vjet e gjysmë burgim i akuzuari për vrasjen e xhaxhait
Gjykata Themelore në Gjakovë në rigjykim ia ka ulur dënimin të akuzuarit Berat Berisha i cili ngarkohet për vrasjen e xhaxhait të tij S.B., në Kijevë të Malishevës. Nga 21 vjet burigm sa ishte dënuar në gjykimin e parë, Berisha u dënua me dënim unik prej 19 vjet e 6 muaj burgim.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, i cili e shpalli fajtor të akuzuarin për “Vrajse” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke i shqiptuar dënim unik me 19 vjet e 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 28 prilli 2023.
“Konfiskohet një pistoletë gjysmë automatike të tipit Crvena Zastava e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë fishekë të kalibrit 9x19mm i dizajnuar për pistoletë Crvena Zastava, gjashtë fishekë të kalibrit 9x19mm si dhe një pushkë e gjuetisë me dy tyta e tipit Huglu, kalibrit 12 bore, një fishekë i kalibrit 7.65x17mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Ndryshe, më 27 maj 2024, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte dënuar të akuzuarin Berisha me 21 vjet burgim.
Ndërsa, përmes vendimit të përpiluar më 16 tetor 2024, Apeli kishte aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ashtu që çështja është kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të përpiluar më 12 tetor 2023, Berat Berisha akuzohet se më 28 prill 2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B.
Më pas, thuhet se viktima mundohet të ikë më tej, por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o më vrajti, o më vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ikë edhe për 3-4 metra më tej, mirëpo i pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi.
Bazuar në aktakuzë, thuhet se vdekja e tani të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë nga ekspertit mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se vdekja e viktimës S.B., ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.
Me këto veprime, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, par.1 nënpar. 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Berisha ngarkohet se ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armët- një pistoletë gjysmë-automatike e tipi “Crvena Zastaca”, gjashtë fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe një pushkë e gjuetisë, një fishek i kalibrit 7.65×17 mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore.
Për këtë, Berisha ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.