Në Suharekë, mu përballë Stacionit të Policisë – kapen në flagrancë 10 “bixhozçi”
Njësitë e Sektorit të Hetimeve Rajonale të Policisë në Prizren kanë zhvilluar një operacion në Suharekë, ku kanë arrestuar 10 persona të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, raporton Gazeta Sinjali.
Aksioni është realizuar në një kafiteri përballë Stacionit të Policisë në Suharekë, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e aktiviteteve të tilla në këtë zonë.
Si ndodhi operacioni?
Policia ka pranuar informata operative rreth orës 21:30, sipas të cilave në lokalin “Real Game Zone”, pronë e të dyshuarit Lulzim Reshani, po organizohej bixhoz i paligjshëm. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetuesit kanë ndërhyrë menjëherë në lokacion.
Kur policia ka arritur në vendngjarje, dera e lokalit ishte e mbyllur nga brenda, por pas insistimit të zyrtarëve policorë, pronari e ka hapur derën. Brenda lokalit janë hasur 10 persona, të cilët ishin të ulur në tavolina ku gjendeshin letra bixhozi dhe dëshmi të tjera që sugjeronin zhvillimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Të gjithë të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor të Prizrenit për procedura të mëtejshme, ndërsa janë sekuestruar dëshmi që mund të ndërlidhen me veprën penale.
Pas intervistimit të tyre në praninë e avokatëve mbrojtës, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre për 48 orë.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbuluar shtrirjen dhe organizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm. Ndërkohë, po shqyrtohet nëse ky grup ka pasur lidhje me aktivitete të ngjashme në qytete të tjera.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme mbi këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.